Aktivitete
Ekskursion në Kosovë me vajzat e Kolegjit
Në datat 7-9 prill 2011 Albanian Qatar College organizoi një ekskursion në Kosovë me 29 nxënëse e mësuese të Kolegjit. Gjatë këtij ekskursioni pjesëmarrëset bënë vizita në disa prej qendrave dhe memorialeve tepër domethënëse në historinë, traditën, kulturën dhe qëndresën e Kosovës heroike, si shtëpia muze e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, objekte të tjera kulturore e historike në qytetin e bukur të Prizrenit, shpella e Gadimes në afërsi të Lipjanit, kompleksi i varrezave të dëshmorëve të UÇK-së në Polac, kompleksi përkujtimor "Adem Jashari" tek shtëpia e tij në Prekaz, vizita në qytetet e Skënderaj dhe Mitrovicës dhe ura e Ibrit, pranë të cilit pjesëmarrëset drekuan në një peisazh pothuajse piktoresk.
Në vijim ekskursioni vazhdoi me vizitën në kryeqytetin kosovar të Prishtinës, ku u zhvillua një takim me nxënëset e Medresesë Alaudin në ambientet e Shoqatës Kulturore AKEA, ku u diskutua në një takim në formë seminari për forcimin e marrëdhënieve dhe vizitave të përbashkëta në kuadër të shkëmbimit të eksperiencave në fushën e aktiviteteve edukativo-arsimore. Gjatë këtij takimi, vajzat e Kolegjit u angazhuan në mënyrë aktive me ndërhyrjet, vërejtjet, sugjerimet dhe interesimit të tyre. Pjesëmarrësit në këtë aktivitet u shprehën tepër të kënaqur me këtë vizitë, duke e cilësuar si një përvojë shumë pozitive për njohjen më nga afër të historikut dhe aktualitetit të gjysmës së kombit tonë që jeton në trojet etnike në Kosovë.
Kolegji zhvillon konkurs në lëndën e Matematikës
Në datën 25.03.2011 Albanian Qatar College organizoi një konkurs në lëndën e matematikës me nxënëset e Kolegjit nga klasa VI deri në klasën XI. Pas zhvillimit të konkursit, ku morën pjesë rreth 25 konkurente, juria e përbërë nga ekspertë të fushës së matematikës në Kolegj shpalli fituesit për tre vendet e para, të cilët janë.
-
Në vendin e parë me pikë të barabarta dolën Erjola Lala dhe Eleni Çibuku
-
Në vendin e dytë Hygerta Pemaj dhe Lorena Imeraj
-
Në vendin e tretë jurgena deda, Greta Bullari dhe Albana Muça
Për fituesit e këtij konkursi u shpërndanë Fleta Lavdërimi dhe dhurata. Ky konkurs u zhvillua në kudër të testimit të njohurive të nxënësve dhe nxitjen e tyre për të marrë pjesë në olimpiada kombëtare në këtë fushë. Drejtues të Kolegjit shprehen se në të ardhmen do të zhvillohen konkurse në lëndë të tjera.
Kolegji përfundon me sukses semestrin e parë mësimor
Kolegji i vajzave Albanian Qatar College përfundoi me sukses semestrin e parë të vitit shkollor 2010-2011. Pavarësisht se Kolegji është në hapat e tij të parë për t’u konsoliduar si një institucion i mirëfilltë arsimor dhe një vatër dijeje dhe disipline për nxënëset që e frekuentojnë atë, gjatë periudhës së kaluar doli në pah interesi në rritje i vajzave të Kolegjit për përvetësimin e dijeve dhe bashkëveprimin me metodat bashkëkohore që kanë lidhje me to, ashtu siç u dalluan dhe disa talente në lëndë të ndryshme. Një punë të lavdërueshme për përgatitjen edukativo-mësimore të këtyre nxënëseve ka bërë dhe stafi mësimor i Kolegjit.
Drejtoresha e Kolegjit znj. Loreta Terihati shprehet se tashmë nxënëset janë familjarizuar më shumë me shkollën dhe nga testet e zhvilluara vihet re një tendencë e rritjes së notës mesatare, duke shprehur ambiciet e saj që kolegji i vajzave Albanian Qatar College në një të ardhme të afërt të jetë nga shkollat më të mira të kryeqytetit dhe talentet e kësaj shkolle të jenë pjesëmarrëse aktive në evenimentet arsimore dhe olimpiadat e ndryshme që zhvillohen në vend.
Kolegji organizon aktivitetin me temë "Stop SIDA-s!"
Me rastin 1 Dhjetorit, Ditën Ndërkombëtare kundër SIDA-s, Kolegji i Vajzave Albanian Qatar College zhvilloi një takim sensibilizues.
Gjatë këtij takimi u diskutuan tema të rëndësishme rreth sëmundjes së SIDA-s, rrezikshmërisë, simptomave dhe mënyrave të përhapjes së saj.
Po ashtu, në këtë aktivitet u trajtuan këshilla dhe materiale të dobishme se si të mbrohemi nga kjo lloj sëmundjeje dhe si të trajtohet virusi HIV.
Në fund të këtij aktiviteti, nxënësja Fjoralba Hajdini recitoi poezinë “Bukuria qe vret” dhe në mbyllje u këndua një këngë nga nxënësja tjetër Imen Hasani.
Mesazhi i këtij takimi sensibilizues ishte “Të njohim rrezikun që paraqet sëmundja e SIDA-s dhe të mbrohemi prej saj”.
Kolegji organizon program festiv me rastin e festave të Nëntorit
Me rastin e festave të 28 dhe 29 Nëntorit, Kolegji i Vajzave Albanian Qatar College organizoi një aktivitet artistik me temë “Ty flamur të duam shumë!”

















