Te Reja
Kolegji organizon panair gatimesh në Shtëpinë e të Moshuarve
Ditën e mërkurë më datë 29.02.2012 Kolegji “Nxënësit e Mesdheut” organizoi një panair ushqimesh në Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë. Në këtë aktivitet me natyrë humane morën pjesë disa mësuese të Kolegjit dhe një përfaqësi e nxënëseve. Një nga mësueset organizatore të kësaj veprimtarie, znj. Dëshira Gjonaj, u shpreh se aktivitete të tilla zgjojnë tek nxënëset dhe të rinjtë në përgjithësi ndjenjën e humanizmit për më të rriturit dhe veçanërisht për moshën e tretë. Vlen të përmendet se ushqimet dhe gatimet tradicionale që u përgatitën në këtë panair u shpërndanë për të moshuarit, të cilët shprehën konsideratat më të larta për Kolegjin, nxënëset dhe mësueset.
Kolegji organizon trajnim me stafin mësimor
Kolegji “Nxënësit e Mesdheut” ka nisur një seri trajnimesh me Prof. Asc. Dr. Petrit Mukën, të cilat synojnë rritjen e performancës edukativo-arsimore në shkollë me pjesëmarrjen e të gjithë stafit mësimor.
Në këto trajnime hidhet dritë mbi metodat bashkëkohore më efikase të edukimit për të hedhur baza të shëndosha në një arsim sa dinamik aq dhe konkurues.
Nxënëset e Kolegjit solidarizohen me banorët e zonave të bllokuara nga dëbora
Në shenjë solidariteti për të ndihmuar banorët e zonave të bllokuara për shkak të reshjeve të dendura të dëborës në disa rrethe të vendit, nxënëset e Kolegjit organizuan në datën 27 shkurt 2012 mbledhjen e ndihmave për disa nga familjet në nevojë në qytetin e Pukës duke përgatitur disa pako me ushqime të konsumit të përditshëm. Vlen të përmednet se të gjitha vajzat e shkollës dhanë kontributin e tyre në përgatitjen e këtyre pakove ushqimore.
Kolegji organizon trajnim për ofrimin e ndihmës së shpejtë
Në kuadër të trajnimeve të larmishme që zhvillohen në Kolegj për të rritur kapacitetet dhe aftësitë e nxënëseve në fusha të ndryshme, në datën 24.02.2012 u zhvillua trajnimi mbi dhënien e ndihmës së shpejtë, në të cilin morën pjesë të gjitha nxënëset e ciklit nëntëvjeçar. Në këtë aktivitet u demonstruan ushtrime praktike për dhënien e ndihmës së shpejtë me mjete rrethanore në raste të ndryshme.
Një trajnim tjetër që zhvilloi Kolegji ishte dhe ai me temë “Inteligjenca” në datën 22/02/2012, gjatë të cilit psikologia e shkollës foli me detaje rreth inteligjencës së të rinjve dhe rritjes së nivelit të saj perms leximit dhe përvetësimit të njohurive.
Kolegji zhvillon diskutim të hapur mbi fenomenin e dhunës dhe pasojat e saj
Ditët e fundit Kolegji zhvilloi një tryezë të rrumbullakët me temë “Dhuna, llojet e saj dhe adoleshenca”, në të cilën morën pjesë nxënës, mësues dhe prindër.
Aktiviteti u zhvillua në trajtën e një bashkëbisedimi ndëmjet të pranishmëve, ku u dënua dhuna e çfarëdolloj forme qoftë e cila lë pasoja negative në jetën e përdishme.
Gjatë këtij diskutimi një rëndësi e veçantë iu kushtua periudhës delikate të adoleshencës, përballjet e saj me fenomenin e dhunës dhe krijimi i një mjedisi sa më miqësor për të rinjtë për të qenë sa më të afrueshëm, më të komunikueshëm dhe larg dhunës dhe pasojave të saj, si dhe angazhimi i tyre me studime e veprimtari të dobishme për ta shfrytëzuar kohën në mënyrë sa më efikase.
Kolegji organizon aktivitet festiv me rastin e Vitit të Ri
Me rastin e ardhjes së vitit të ri 2012 Kolegji “Nxënësit e Mesdheut” organizoi një aktivitet festiv me temë: “Festojmë së bashku Vitin e Ri!”, në të cilin morën pjesë nxënës, prindër dhe mësues.
Në këtë aktivitet u shpërndanë dhurata dhe u festua duke kënduar këngë, duke recituar poezi dhe duke luajtur lojra të ndryshme argëtuese
Aktiviteti u shoqërua dhe me një koktej për të gjithë të pranishmit. Me këtë rast, Kolegji “Nxënësit e Mesdheut” u drejton një urim të përzemërt të gjithëve “GËZUAR VITIN E RI 2012!”
Kolegji organizon takimin "Dashuria dhe njeriu!"
Në datën 22 dhjetor 2011 në ambientet e Kolegjit “Nxënësit e Mesdheut” u organizua një takim me temë “Dashuria dhe njeriu”, ku morën pjesë Ma. Sabahudin Jashari dhe stafi pedagogjik i Kolegjit.
Në fjalën e mbajtur në këtë takim, z. Jashari foli për rëndësinë e dashurisë si virtyt themelor që e karakterizon njeriun dhe e afron atë me të tjerët, duke e vënë theksin tek lidhjet mes dashurisë dhe dijes si vlera të larta që zhvillojnë personalitetin e njeriut.
Takimi më vonë mori trajtën e një bashkëbisedimi, ku mësueset e Kolegjit sollën shembuj konkretë që tregonin rëndësinë e dashurisë në marrëdhënien me procesin e të nxënit dhe vetë nxënësit.
Ekskursion në Kopshtin Zoologjik
Ditët e fundit fëmijët e ciklit fillor të Kolegjit “Nxënësit e Mesdheut“ zhvilluan një piknik dhe një vizitë në kopshtin zoologjik të qytetit të Tiranës. Vogëlushët e Kolegjit u njohën nga afër me kafshët dhe shpendët që ndodhen në kopshtin zoologjik dhe bënë dhe disa foto me to. Në këtë piknik mësueset që shoqëronin nxënësit folën për dashurinë për kafshët dhe rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit.
Kolegji organizon aktivitet festiv me rastin e Kurban-Bajramit
Me rastin e festës së Kurban Bajramit, vajzat e Kolegjit “Nxënësit e Mesdheut“ organizuan një program te larmishëm artistik me pjesë teatrale që tregonin domethënien e kësaj feste, këngë, ilahi, poezi etj.
Në këtë program festiv merrnin pjesë mësuese dhe prindër të nxëneseve të Kolegjit. Në fjalën e saj drejtoresha e Kolegjit, znj. Loreta Terihati uroi të gjithë të pranishmit me rastin e festës, duke premtuar se Kolegji edhe në të ardhmen do të jetë pjesë e aktiviteteve festive kombëtare e kulturore.
Aktivitet me rastin e muajit të letërsisë dhe arteve në Kolegj
Në muajin tetor 2011 Kolegji “Nxënësit e Mesdheut” organizoi një aktivitet të larmishëm me rastin e lançimit të “Muajit të letërsisë dhe arteve në Kolegj” me pjesëmarrjen e të gjitha nxënëseve të shkollës. Gjatë këtij aktiviteti nxënëset recituan vjersha, poezi, bënë prezantime librash dhe luajtën pjesë teatrale dhe skeçe humoristike. Presidentja e shkollës Eleni Çibuku mbajti një fjalim me këtë rast, ku bëri një prezantim të përgjithshëm mbi artet. Një moment shumë i rëndësishëm gjatë aktivitetit në fjalë ishte dhe prezantimi i numrit të parë të gazetës së shkollës. Kolegji mbetet i angazhuar për të trajtuar në vijimësi tema dhe debate të vlefshëm në kuadër të ndërgjegjësimit të nxënësve për tema të dobishme, nga ku synohet dhe nxitja e pjesëmarrjes së tyre nëpërmjet diskutimeve dhe rrahjes së mendimeve.








